Uragani Melissa shkaktoi shkatërrim dhe viktima në Karaibe, duke u shndërruar në një nga stuhitë më të fuqishme të Atlantikut në më shumë se 150 vjet. Reshjet e rrëmbyeshme dhe erërat e forta shkaktuan dëme të mëdha përgjatë rrugës së stuhisë në Xhamajka, Kubë dhe Bahamas. Të paktën 30 persona humbën jetën, megjithëse numri i plotë i viktimave të stuhisë katastrofike mund të kërkojë disa ditë ose javë për t’u përcaktuar. Ndërsa uragani u drejtua drejt Bermudës herët të enjten, zyrtarët e emergjencës në vendet përgjatë rrugës së Melissës filluan punën për rimëkëmbje, duke pastruar rrugët për të arritur te komunitetet e izoluara që kishin nevojë për ndihmë. Andreë Holness, kryeministri i Xhamajkës, vizitoi të mërkurën disa nga zonat më të goditura të vendit për të vëzhguar dëmet e konsiderueshme të shkaktuara nga erërat e forta dhe përmbytjet e mëdha. Gjatë kalimit në Kubë, Melisa mbeti një uragan i frikshëm i Kategorisë 3. Kur arriti në Bahamas, ai kishte rënë në Kategorinë 1, por fusha e gjerë e erërave vazhdoi të shkaktonte reshje të rrëmbyeshme dhe përmbytje, shoqëruar nga erëra të forta dhe stuhi të rrezikshme në bregdet. Më shumë se 735,000 njerëz u evakuuan në Kubë ndërsa Melissa afrohej, ndërsa në Bahamas, vlerësimet paraprake tregojnë se 1,485 banorë u evakuuan para se të pezulloheshin të gjitha fluturimet. Urdhëra evakuimi u lëshuan gjithashtu për gjashtë ishuj në Bahamas. Vende të tjera, përfshirë Republikën Dominikane dhe Haitin, gjithashtu ndienë ndikimet katastrofike të Melissës.









