Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka deklaruar se fuqia blerëse e qytetarëve është në nivelin më të lartë deri më sot, me paga dhe pensione rekord, taksa më të ulëta mbi punën në Evropë dhe çmime të qëndrueshme.
Ai theksoi se masat ekonomike të Qeverisë kanë sjellë rritje të standardit jetësor, stabilitet të financave publike dhe përmirësim të pozitës ndërkombëtare të shtetit.
Sipas Spajiqit, pagat dhe pensionet janë rritur ndjeshëm, mesatarisht mbi 40% në terma realë, ndërsa paga mesatare pothuajse është dyfishuar në disa vite.
Ai shtoi se Mali i Zi tani ka pensione dhe paga më të larta në rajon dhe taksat më të ulëta mbi punën në Evropë, çka e bën sistemin fiskal ndër më konkurruesit në kontinent.
Kryeministri theksoi se gjatë mandatit të Qeverisë aktuale inflacioni është ulur në 3,3%, shumë më pak se gjatë qeverisjes së mëparshme kur kishte arritur deri në 17,5%.
Po ashtu, inflacioni në sektorin e turizmit është stabilizuar rreth 8%, pavarësisht rritjes së TVSH-së në këtë sektor në 15% që nga 1 janari 2025.
Ndër masat më të rëndësishme, Spajiq përmendi kufizimin e marzhave tregtare për mbi 500 produkte bazë dhe uljen e çmimeve përmes aksionit “Çmime të limituara”, që ka ndihmuar në ruajtjen e standardit të qytetarëve.
Ai kujtoi gjithashtu se viti i kaluar shënoi rritjen e parë të vlerësimit kreditues të Malit të Zi pas 11 vitesh, si dhe rifillimin e procesit të integrimit evropian falë reformave të qeverisë, për çka vendi ka marrë edhe fonde nga Plani i Rritjes i BE-së.
Në përfundim, Spajiq theksoi se politikat aktuale kanë për qëllim të ruajnë stabilitetin ekonomik, të rrisin mirëqenien e qytetarëve dhe të forcojnë besueshmërinë e Malit të Zi në arenën ndërkombëtare.










