MILLATOVIQ NË SENATIN FRANCEZ: MALI I ZI E MERITON BASHKIMIN EVROPIAN

Foto: predsjednik.me

Gjatë vizitës zyrtare në Francë, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, është takuar me kryetarët dhe anëtarët e komisioneve për çështje evropiane dhe të jashtme të Senatit dhe Asamblesë Kombëtare të Republikës së Francës.

Sipas njoftimit nga Kabineti i Presidentit, takimi ishte një mundësi për të shkëmbyer mendime mbi integrimin evropian, dinamikën e re të politikës së zgjerimit dhe rolin e Malit të Zi si kandidati më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Parlamentarët francezë e vlerësuan takimin si të rëndësishëm dhe të kohës, duke theksuar se BE-ja po hyn në një fazë të re të politikës së zgjerimit.

Ata lavdëruan progresin e Malit të Zi, duke e cilësuar si shembull të reformave të suksesshme dhe të përkushtimit ndaj vlerave evropiane në rajon. U nënvizua rëndësia e vazhdimit të reformave në fushat e sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit, si dhe roli i Malit të Zi në ruajtjen e stabilitetit rajonal.

U veçua edhe rëndësia e Qendrës Rajonale për Forcimin e Kapaciteteve Kibernetike të Ballkanit Perëndimor (WB3C), e themeluar në Podgoricë nga Franca, Mali i Zi dhe Sllovenia, si shembull i bashkëpunimit konkret dhe forcimit të qëndrueshmërisë së rajonit.

Presidenti Millatoviq falënderoi Francën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj perspektivës evropiane të Malit të Zi dhe të rajonit, duke theksuar rolin udhëheqës të Francës në forcimin e projektit evropian — nga iniciativat si Komuniteti Politik Evropian deri te metodologjia e re e zgjerimit që i kthen besueshmërinë procesit të anëtarësimit.

Ai deklaroi se “Franca ka një rol unik në formësimin e politikës së zgjerimit, ndërsa Mali i Zi është gati të jetë shembull i një anëtarësimi të suksesshëm të gjeneratës së re”.

Qëllimi, sipas tij, është përmbyllja e negociatave deri në vitin 2026 dhe anëtarësimi i plotë në BE deri në vitin 2028.

Mlilatoviq kujtoi se Mali i Zi ka hapur të gjitha kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht shtatë prej tyre, ndërsa pritet të mbyllen edhe pesë të tjerë deri në fund të vitit.

Ai nënvizoi gjithashtu se vendi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017, përdor euron si valutë zyrtare dhe është plotësisht i harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Presidenti vuri në dukje se me mbështetjen e fortë të Francës, Mali i Zi ka arritur rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, duke theksuar se institucionet duhet të jenë profesionale, transparente dhe të udhëhiqen nga njerëz të ndershëm e kompetentë.

“Rruga evropiane e Malit të Zi nuk është vetëm një proces politik, por një mision i gjeneratës sonë – një përpjekje e përbashkët për të ndërtuar institucione të forta dhe një shoqëri moderne që ndan vlerat evropiane,” tha Milatoviq.

Ai shtoi se anëtarësimi i Malit të Zi në BE do të ishte një sinjal pozitiv për të gjithë vendet kandidate, duke dëshmuar se zgjerimi është ende i mundur.

“Mesazhi nga Parisi është i qartë: Mali i Zi është gati. Mali i Zi e meriton Bashkimin Evropian. Dhe Evropa e meriton Malin e Zi,” përfundoi Millatoviq.

SHARE