KRYEMINISTRI KËRKON BASHKIM RRETH AGJENDËS EVROPIANE, SUNDIMIT TË LIGJIT DHE RRITJES EKONOMIKE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, gjatë seancës së posaçme të Kuvendit, deklaroi se vendi ka një shans historik për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2028, ndërsa planifikon mbylljen e të gjitha kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2026.

Ai theksoi se Qeveria udhëhiqet nga rezultate konkrete, jo nga slogane politike, dhe kërkoi bashkim rreth tri prioriteteve kryesore: agjendës evropiane, sundimit të ligjit dhe rritjes ekonomike që ndihen nga qytetarët.

Spajiq theksoi se mbështet transparencë të plotë në procesin e koncesionit për aeroportet, duke propozuar që mbledhja e Qeverisë për këtë çështje të jetë publike dhe e regjistruar.

Ai tha se procesi është nën mbikëqyrjen e BE-së dhe Bankës Botërore dhe se është i vendosur ta çojë deri në fund.

Duke folur për sundimin e ligjit, Spajiq theksoi se prokuroria është tani plotësisht e pavarur, ndryshe nga e kaluara, kur ekzistonte lidhje e paligjshme mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.

Ai tha se është i gatshëm që prokuroria të hetojë çdo veprim të tij dhe se mbështet punën e saj në mënyrë të plotë.

Në fjalën e tij, kryeministri bëri thirrje për bashkim të qytetarëve, duke theksuar se është koha të tejkalohen ndarjet politike dhe të punohet për përmirësimin e jetës së njerëzve.

Deputetët e opozitës, si Danijel Zhivkoviq nga PDS-ja, kritikuan prokurorinë duke pretenduar se ajo po ndikon në proceset politike, ndërsa Spajiq u përgjigj se nuk është koha për përplasje politike, por për zgjidhje konkrete.

Sa i përket politikës ekonomike, Spajiq tha se qeveria po zbaton reformat më të mëdha në historinë e vendit dhe se planifikohen investime prej 200 milionë eurosh në bujqësi, që do të ndihmojnë në stabilizimin e çmimeve dhe sigurinë ushqimore.

Ai përmendi gjithashtu se projekti për vizën elektronike (E-viza) do të jetë një hap i rëndësishëm në menaxhimin modern të migracionit.

Në lidhje me marrëdhëniet me Turqinë, pas ngjarjeve të fundit në Podgoricë, Spajiq tha se është forcuar bashkëpunimi me shërbimet e sigurisë turke dhe se qeveria po përgatit një ligj të ri për të huajt që do të parandalojë abuzimet me lejet e qëndrimit dhe do të nxisë punësimin e shtetasve vendas.

Deputetët kërkuan gjithashtu sqarime mbi çështjet e sigurisë dhe imigracionit, sidomos për shtetasit turq që po vendosen në vend, ndërsa Spajiq siguroi se qeveria do të veprojë me kujdes për të ruajtur paqen dhe dinjitetin e Malit të Zi.

Në fund, nënkryetari i Kuvendit, Mirsad Nurkoviq, dhe zëvendëskryeministri Aleksa Beçiq dënuan ashpër kërcënimet ndaj reisit të Bashkësisë Islame, Rifat Fejziq, duke theksuar se në Mal të Zi askush nuk është mbi ligjin dhe se autoritetet do të veprojnë me vendosmëri për të garantuar sigurinë e qytetarëve të të gjitha feve dhe kombësive.

SHARE