Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka zhvilluar një takim konstruktiv me drejtoreshën e Sekretariatit të CEFTA-s, Pranvera Kastrati.
Siç kanë njoftuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në takim është shprehur mbështetje e ndërsjellë për vizionin e përbashkët të përmirësimit të bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe të thjeshtimit të procedurave në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve.
Po ashtu, është shqyrtuar progresi në fushën e digjitalizimit të procedurave tregtare.
“Është vënë theks i veçantë në rëndësinë e sinergjisë ndërmjet bashkëpunimit rajonal dhe agjendës evropiane të Malit të Zi, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si instrument kyç për konvergjencë më të shpejtë ekonomike dhe forcimin e konkurrueshmërisë së tregut”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se, pas pothuajse dy dekadash ekzistence, CEFTA mbetet një kuadër i besueshëm dhe partner i fuqishëm në nxitjen e integrimit ekonomik rajonal, zhvillimit të përbashkët dhe afrimit me standardet evropiane.










