Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, u prit me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në Sarajevë, ku u takua me anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beqiroviq, Zhelko Cvijanoviq dhe Zhelko Komshiq.
Ai i falënderoi për ftesën për të vizituar Bosnjën dhe Hercegovinën, si dhe për mikpritjen dhe bisedat kuptimplota, të cilat, siç tha Millatoviq, konfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyera të përgjithshme ndërshtetërore të dy vendeve fqinje dhe mike.
“Unë jam këtu sot si një mik me një mik dhe mendoj se ky është mesazhi më i rëndësishëm që dua të dërgoj,” tha presidenti i Malit të Zi.
Në emër të Malit të Zi, ai shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në rajonin e Jabllanicës dhe tha se pikërisht në rrethana të jashtëzakonshme vendet e rajonit tregojnë afërsi dhe mbështetje reciproke.
Ai vuri në dukje se si President i Malit të Zi është i përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe se është veçanërisht i kënaqur që Mali i Zi para pak kohe ishte nikoqir i Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit, ku të tre anëtarët e Presidencës së BeH dhanë një kontribut konstruktiv dhe domethënës.
“Bashkëpunimi i fqinjësisë së mirë, i cili bazohet në respektin dhe vlerësimin reciprok, është imperativ i politikës sonë të jashtme dhe si i tillë është një bazë e shkëlqyer për rritjen e aktiviteteve në drejtim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë. Në këtë kuptim, Mali i Zi është një fqinj i mirë. Bashkëpunimi i fqinjësisë së mirë është një nga tre prioritetet tona kryesore të politikës së jashtme, ndoshta më i rëndësishmi, për shkak të së kaluarës së përbashkët që ndajmë dhe jam i sigurt për të ardhmen tonë të përbashkët të ndritur”, tha presidenti Millatoviq.