Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë, tashmë ka hyrë në historinë e trashëgimisë botërore. Me vendimin e UNESCO-s, ajo është përfshirë në programin “Njeriu dhe Biosfera”, duke u shpallur një pasuri që i përket jo vetëm Shqipërisë, por mbarë njerëzimit. Ky status i jep Vjosës një mbrojtje të veçantë dhe e kthen në një simbol të bashkëjetesës mes natyrës dhe njeriut.
“Ky status kaq i veçantë dhe kaq i bukur në thelb përkufizon vlerat unikale të këtij lumi të egër, të paprekur deri më sot; përkufizon ndërveprimet njerëzore të banorëve dhe të lumit, dhe natyrisht të kulturës së saj në të gjitha dimensionet, si shpirtërore, edhe materiale. Duke u përfshirë në listën e gati 130 vendeve, të cilat e kanë një status të tillë, përfshirjen në programin ‘Njeriu dhe Biosfera’, i shërbehet edhe ekonomisë,” tha aktivisti Aleks Toti.
Nga ana tjetër, operatorët turistikë që operojnë në këtë zonë pohojnë se ky vendim do të ndikojë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e turizmit.
Me shpalljen e Vjosës pjesë të UNESCO-s, Shqipëria forcon jo vetëm vlerat e saj natyrore, por edhe identitetin si një vend që di të mbrojë pasuritë e rralla.