Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë i Kosovës, Përparim Kryeziu i ka thënë të martën Radios Evropa e Lirë se autoritetet i kanë nisur hetimet paraprake për identifikim të autorëve të mundshëm për incidentet me të shtëna në kufirin me Malin e Zi, për çka autoritetet malazeze i kanë dërguar notë verbale Ambasadës së Kosovës në Podgoricë.
Mali i Zi ka thënë se të shtënat me armë zjarri dyshohet se janë nisur nga pjesa e Kosovës në zonën pranë qendrës malazeze të skijimit, Hajlla-Shtedim, afër kufirit mes dy shteteve.
Kryeziu ka thënë se shteti i Kosovës është njoftuar përmes kanaleve diplomatike nga shteti malazez për incidentet dhe që Policia Kufitare e Kosovës ka nisur të patrullojë menjëherë në zonën e Shtedimit, por që aty nuk janë gjetur dëshmi materiale që konfirmojnë vendin apo rrethanat e incidentit.
“Megjithatë, me udhëzim të Prokurorisë Themelore në Pejë, kanë nisur hetimet paraprake për identifikimin e autorëve të mundshëm, duke u mbështetur edhe në informacione nga burime lokale”, ka bërë të ditur Kryeziu.
Ai ka thënë se institucionet e sigurisë, përkatësisht Policia e Kosovës, ka shprehur gatishmëri për organizimin e një takimi me autoritetet kufitare malazeze me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e informacionit operativ dhe parandalimin e dukurive negative përgjatë vijës kufitare, dhe që vetëm këtë vit, dy vendet i kanë kryer 30 patrullime të përbashkëta në zona kufitare.