GJELOSHAJ: DIGJITALIZIMI, ÇELËSI PËR TREG TË HAPUR DHE MBROJTJE TË LARTË TË PËRDORUESVE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, hapi zyrtarisht Forumin Rajonal Rregullator për Evropën 2025, organizuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit dhe Agjencia për Komunikime Elektronike dhe Shërbime Postare e Malit të Zi, i cili këtë vit mbahet me temën “Krijimi i një bote digjitale rezistente dhe të orientuar drejt njeriut”.

Gjeloshaj shprehu mirënjohjen e sinqertë ndaj Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit për mbështetjen e vazhdueshme që i jep Malit të Zi në forcimin e kuadrit rregullator, zhvillimin e infrastrukturës digjitale dhe në adoptimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.

“Nëpërmjet përkushtimit për avancimin e procesit të digjitalizimit dhe forcimin e sektorit të komunikimeve elektronike, në përputhje me legjislacionin dhe praktikat evropiane, ne kontribuojmë në krijimin e një tregu konkurrues dhe të hapur, duke siguruar njëkohësisht mbrojtje të lartë për përdoruesit”, theksoi Gjeloshaj.

Ai rikujtoi gjithashtu mbylljen me sukses të Kapitullit negociues 10, duke theksuar se me këtë është përmbushur një nga kriteret kyçe – sigurimi i pavarësisë së rregullatorit.

“Zhvillimi i rrjeteve të gjeneratës së re, përfshirë internetin me shpejtësi të lartë dhe teknologjinë 5G, ka rëndësi të jashtëzakonshme për përmirësimin e lidhjes digjitale në vend”, theksoi Gjeloshaj.

SHARE