PUBLIKOHEN UDHËZIMET: NGA NESËR QYTETARËT MUND TË KONTROLLOJNË TË DHËNAT NGA REGJISTRIMI

Sot, Monstat publikoi Udhëzimet për përdorimin e aplikacionit për kontrollin e karakteristikave etniko-kulturore të mbledhura nga Regjistrimi i Popullsisë, Amvisërive dhe Banesave në vitin 2023.

Udhëzimi është publikuar në faqen e Monstat-it, ndërsa siç ka njoftuar më parë Drejtoria e Statistikave, nesër do të aktivizojë softuerin për kontrollin e të dhënave nga Regjistrimi i Popullsisë i kryer në fund të vitit të kaluar.

Drejtori i Monstatit, Mirosllav Pejoviq, ka njoftuar më herët se qytetarët do të mund të kontrollojnë të dhënat e tyre nga 1 deri më 7 tetor.

Rezultatet e reja përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë, Amvisërive dhe Banesave, i zhvilluar nga data 3 deri më 28 dhjetor 2023, do të bëhen të ditura më 15 tetor.

“Rezultatet përfundimtare të regjistrimit do të publikohen më 15 tetor. Duhet theksuar se atë ditë do të publikohen të dhënat për numrin e përgjithshëm të banorëve të Malit të Zi sipas komunave, për strukturën gjinore dhe moshore, për veçoritë etnike-kulturore, shtetësinë, e më pas në ditët në vijim do të bëhen njoftime të njëpasnjëshme mbi karakteristikat e tjera të popullsisë”, tha Pejoviq për TVMZ.

SHARE