Presidenti rus Vladimir Putin shpalli aneksimin e 4 rajoneve ukrainase, duke bërë pjesë të Rusisë 15% të territorit të këtij vendi. “Dua të më dëgjojnë në Kiev dhe në perëndim. Njerëzit që jetojnë në Luhansk, Donjeck, Herson e Zaporizhia bëhen qytetarët tanë përgjithmonë. Populli bëri zgjedhjen e tij,” thotë Putini. Nga salla e madhe e pallatit presidencial në Moskë, shefi i Kremlinit tha se 4 rajonet që pranuan masivisht me referendum bashkimin me Rusinë, janë tashmë pjesë e federatës ruse dhe do të mbrohen ashtu si e gjithë pjesa tjetër e territorit me të gjitha mjetet në dispozicion, duke lënë të kuptohet siç ka paralajmëuar më herët, edhe me armë bërthamore. Dhe pasi rrëmbeu me dhunë territoret, Putin shprehet i gatshëm për bisedime paqeje me Kievin. “Ukraina duhet të ndalë zjarrin që nisi në 2014-ën. Jemi gati të kthehemi në tryezën e negociatave. Por zgjidhja e aneksimit të katër rajoneve nuk vihet më në diskutim.” Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se është duke kërkuar anëtarësim të përshpejtuar të Ukrainës në NATO, pas vendimit të marrë nga Putini. “Ne e kemi vërtetuar përshtatjen tonë me standardet e aleancës. Ne jemi duke marrë hap vendimtar duke nënshkruar aplikacionin e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO”, ka thënë ai.