KOSOVA DHE SERBIA ARRIJNË MARRËVESHJE NË BRUKSEL

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë të enjten nga Brukseli se është arritur marrëveshje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës. Në një letër të publikuar nga Lajçak në rrjetin social Twitter, shihet se palët janë pajtuar për tri pika kyçe: Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë. Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme. Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me marrëveshjen e arritur me Serbinë në Bruksel, Serbia do të nisë “të mësohet me reciprocitet”. Pala serbe e pranoi propozimin për kompromis me Kosovën, me qëllim shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Mendoj se kemi arritur një lloj zgjidhjeje kompromisi, me të cilën personalisht jam shumë i kënaqur”, tha Vuçiq gjatë një vizite në Nish. Sipas tij, marrëveshja i ka “anët e mira dhe të këqija”, por shtoi se për Serbinë “është e rëndësishme” që njësia speciale e Policisë së Kosovës të tërhiqet nga veriu i Kosovës dhe “ne të ruajmë paqen”.

SHARE