Sot në vazhdën e teknikave të reja mini-invazive, në QSUT është kryer ndërhyrja MidCABG (bypass aorto-koronar), ku mbështetës në realizimin e suksesshëm të kësaj ndërhyrjeje ishte Dr. Stak Dushaj nga Malësia.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se kjo procedurë u realizua në një pacient 73-vjeçar me probleme serioze të veshkave dhe diabet, i cili kishte ngushtim kritik të arteries koronare të majtë.Për shkak të patologjive shoqëruese, operacioni u krye pa përdorimin e qarkullimit ekstrakorporal, duke mbajtur zemrën në punë gjatë gjithë kohës dhe pa hapur kraharorin në pjesën e përparme.
“Kjo ndërhyrje, e njohur si MidCABG, u realizua me një incizion alternativ, mini-torakotomi e majtë, me një hapje minimale prej 6-7 cm në hapësirën e katërt ndërkockore, duke lejuar një rikuperim të shpejtë të pacientit dhe ekstubimin e tij të menjëhershëm. Trauma minimale bën që pacienti të kalojë shpejt në repart dhe të dalë nga spitali në gjysmën e kohës së zakonshme, duke ulur kostot dhe ditëqendrimin. Kjo procedurë e re i shtohet spektrit të ndërhyrjeve mini-invazive që kryhen rutinë në Shërbimin e Kardiokirurgjisë në QSUT”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu shprehu mirënjohjen për ekipin e mjekëve dhe infermierëve: Prof. Asoc. Altin Veshti, Dr. Arber Aliu, Dr. Fjoralba ejvani, Dr. Ervin Bejko, Esmerilda Bulku, Jonela Burimi si dhe infermierëve Majlinda Elezi dhe Nerenza Elezi.
Po ashtu, ajo shprehu falënderim të veçantẽ pẽr Dr. Stak Dushaj nga Qendra Universitare e Zyrihut në Zvicër për mbështetjen e tij të vazhdueshme.