RAMA NË SAMITIN E BLEDIT: TË KËNAQUR QË NISIM PROCESIN FORMAL TË BISEDIMEVE ME BE

Liderët e Bashkimit Europian dhe ata të Ballkanit Perëndimor po diskutojnë në samitit e përvitshëm të Bledit, në Slloveni për të ardhmen e unionit duke u fokusuar tek dilema nëse është “Rregulli i pushtetit apo pushteti i sundimit ai që të orientojë sistemin shumëpalësh të marrëdhenieve ndërkombëtare të kësaj organizate. I pranishëm është dhe Kryeministri shqiptar i cili në hyrje ka dhënë një intervistë për mediat vendase. I pyetur për hapjen e negociatave nuk ka dashur të shfaqet euforik për kapërcimin e këtij pragu ku qëndronim prej 2014. “Kënaqësi nuk është një fjalë që mund ta përdorim, por po sigurisht jemi të kënaqur që më së fundi i erdhi fundi që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po nisin tani procesin formal të bisedimit”. Po ashtu arritja e një marrëveshje për njohjen e letërnjoftimeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk e sheh një mundësi për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit pasi për të BE priret të orientohet nga interesat gjeopolitike, por beson se kjo arritje është vetëm falë asaj që ai përsërit: rëndësisë që ka dialogu ballë përballë. “Sa i takon dialogut jam i bindur siç kam qenë se nuk ka vlerë të humbasim kaq shumë kohë e energji në vend që të ulemi për të zgjidhur gjithë problemet siç u ulën në fund të fundit. Ne jemi shumë më tepër pro bashkëpunimit dhe ndërtimit hap pas hapi duke marrë si shembull vendet e tjera të cilat prodhuan histori të jashtëzakonshme suksesi nga konflikti dhe gjakderdhja”. Rama përsërit kërkesën drejtuar BE-së për liberalizimin e lëvizjes për qytetarët e Kosovës.

SHARE