SHIMUN: PËRMIRËSIMI I SHËNDETIT PUBLIK PRIORITET I MALIT TË ZI

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Ministri i Shëndetësisë, Vojisllav Shimun, prezantoi Projektligjin e ri për Mbrojtjen Shëndetësore në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, i cili mori mbështetje unanime në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Kujdes Social.

Ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm për përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe është në përputhje me standardet e BE-së.

Ligji synon të lehtësojë ngarkesën në nivelin sekundar dhe terciar të kujdesit shëndetësor, duke zgjeruar shërbimet në qendrat shëndetësore, përfshirë dermatologjinë, mjekësinë fizikale dhe kujdesin paliativ, për të reduktuar listat e pritjes.

Një nismë e re është krijimi i Qendrës për Sëmundjet e Rralla.

Ligji përcakton me saktësi rolin e Qendrës Klinike Spitalore dhe zgjeron kompetencat e Institutit të Shëndetit Publik, i cili do të monitorojë dhe vlerësojë edhe gjendjen e ushqyerjes së popullsisë, duke luftuar kështu obezitetin.

Një element i rëndësishëm është edhe përfshirja e shëndetit digjital si pjesë e politikave shtetërore, përfshirë aplikacionet mobile, shërbimet online për terminë, monitorimin në distancë dhe mbështetjen digjitale për punonjësit shëndetësorë.

Ligji thjeshton procedurat për specializime në fusha ku ka mungesë specialistësh, si mjekësia familjare, pediatria dhe mjekësia emergjente, për të nxitur mjekët e rinj të zgjedhin këto specialitete.

Gjithashtu, ligji parashikon shëndetësinë dentare falas për fëmijët deri në 18 vjeç, që do të ofrohet nga dentistët shkollorë.

Do të pajisen 56 ambulanca në të gjithë vendin, ndërsa në zonat pa ambulanca, shërbimet do të orohen përmes bashkëpunimit me sektorin privat.

Një tjetër risi është mekanizmi për parandalimin e korrupsionit në institucionet shëndetësore, me vendosjen e rregullave për ndalimin e marrjes së dhuratave dhe pagesave, si dhe forcuar rolin e Komitetit Etik për kontroll dhe përgjegjësi.

Deputetja Dragana Vuçeviq vlerësoi ligjin si një hap pozitiv, duke theksuar rëndësinë e zgjerimit të shërbimeve në nivel primar, kujdesin paliativ, shëndetin dixhital dhe shëndetësinë dentare për fëmijët, si dhe rikthimin e mjekësisë së punës nën Ministrinë e Punës.

Në përgjithësi, ligji synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe funksionimin më efikas të sistemit për qytetarët e Malit të Zi.

SHARE