PRANOHEN AMENDAMENTET, KOMISIONI MIRATON ME SHUMICË VOTASH PROJEKTLIGJIN PËR AGJENCINË PËR SIGURI KOMBËTARE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Në mbledhjen e Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, është miratuar me shumicë votash raporti mbi shqyrtimin e Projektligjit për Agjencinë për Siguri Kombëtare.

Nga Qeveria është bërë e ditur se ka miratuar disa amendamente për të adresuar çështje të debatueshme të ngritura në mbledhjen e mëparshme të komisionit.

Ministri i Drejtësisë, Bojan Bozhoviq, sqaroi se është përfshirë një amendament që parashikon se qasja në bazat elektronike të të dhënave është e mundur vetëm me marrëveshje ndërmjet Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe institucionit që zotëron bazën.

Po ashtu, një tjetër amendament kërkon që për të hyrë në të dhënat e komunikimit elektronik dhe lokacionin e qytetarëve, nevojitet vendim i Gjykatës së Lartë, jo më vetëm i drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare.

Përfaqësuesja e Agjencisë, Sanja Raiçeviq, tha se bëhet fjalë për baza të dhënash që nuk janë të fshehta dhe të cilave edhe institucione të tjera shtetërore kanë qasje. Ajo theksoi se ekziston kontroll i brendshëm i qasjes, pasi çdo punonjës ka identifikues unik (token) dhe detyrohet të bëjë raport për çdo qasje.

Deputeti Nikolla Zirojeviq kritikoi mënyrën si është komunikuar me Komisionin Evropian (KE), duke paralajmëruar se ndryshimet mund të rrezikojnë procesin e integrimit në BE. Ai kërkoi që projektligji të tërhiqet për rishqyrtim dhe theksoi përgjegjësinë politike të ministrit në rast të pengesave në rrugën evropiane.

Ministri Bozhoviq deklaroi se janë në kontakt me KE-në dhe nuk do të ndërmarrin asgjë që mund të ngadalësojë integrimin. Ai pranoi se, nëse ndodh një vonesë, është i gatshëm të mbajë përgjegjësinë për pjesën që i përket Ministrisë së Drejtësisë.

Deputeti Jovan Vuçuroviq tha se do të propozojë amendamente shtesë për të parandaluar çdo mundësi abuzimi politik me Agjencisë për Siguri Kombëtare, duke përmendur rastin e vitit 2020 kur janë përgjuar anëtarët e Frontit Demokratik.

Deputetët Bojoviq dhe Lakoviq theksuan nevojën për balancë mes të drejtave të njeriut dhe efikasitetit të shërbimeve të sigurisë, duke shtuar se qeveria ka zgjedhur rrugën e amendamenteve në vend të tërheqjes së projektligjit dhe do të mbajë përgjegjësi për pasojat.

Në pjesën e dytë të mbledhjes, u shqyrtuan edhe amendamentet në Projektligjin për mbrojtjen e personave dhe pasurisë, ku disa prej tyre u modifikuan pas konsultimeve me Qeverinë dhe u pranuan si amendamente të Komisionit.

SHARE