BE KËRKON TRANSPARENCË DHE RESPEKTIMIN E TË DREJTAVE NË NDRYSHIMET LIGJORE PËR AGJENCINË PËR SIGURINË KOMBËTARE

Foto: PE

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Gijom Mersije, për “Vijesti” theksoi se BE-ja po ndjek me kujdes zhvillimet në sektorin e sigurisë në Mal të Zi, duke përfshirë edhe ndryshimet e propozuara në Ligjin për Agjencinë për Sigurinë Kombëtare.  

Ai theksoi se BE pret që Mali i Zi të japë sqarime të qarta mbi qëllimin dhe përmasën e këtyre ndryshimeve ligjore dhe t’i mundësojë Komisionit Evropian një analizë të plotë para se ligji të vazhdojë në procedurë miratimi.

Mersije vuri në dukje shqetësimet e shprehura nga organizatat vendase të shoqërisë civile dhe nënvizoi se çdo ndryshim ligjor apo institucional duhet të bëhet nëpërmjet një procesi transparent dhe përfshirës të konsultimeve publike, duke respektuar ligjshmërinë, proporcionalitetin, nevojat konkrete, si dhe parimet e mbikëqyrjes demokratike dhe të drejtave themelore.

Ai theksoi gjithashtu se Mali i Zi, si vend kandidat për anëtarësim në BE, duhet të respektojë në mënyrë të qëndrueshme parimet demokratike, të drejtat themelore dhe ndarjen e pushteteve, që janë elementë kyç të procesit të integrimit evropian.

Vijojnë reagime të forta nga organizatat joqeveritare, shoqata e juristëve dhe opozita, të cilët e konsiderojnë këtë ligj të papajtueshëm me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare, duke kërkuar tërheqjen e tij nga procedura parlamentare për t’u përputhur me Kushtetutën dhe rregullat e BE-së.

SHARE