OBSH: VARIANT I RI, POR PA RRITJE TË RASTEVE TË RËNDA

Një variant i ri i COVID-19, i njohur si NB.1.8.1, por i quajtur jozyrtarisht “Nimbus”, është duke u monitoruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pasi është lidhur me një rritje të infeksioneve në disa pjesë të globit.

Ky variant është identifikuar për herë të parë në fund të muajit janar dhe është një nënvariant i Omicron, i cili ka vazhduar të shfaqë mutacione të ndryshme që nga fillimi i pandemisë.

Gjatë muajve të pranverës, Nimbus është bërë gjithnjë e më i përhapur në Evropë, Amerikën e Veriut dhe rajonin e Paqësorit Perëndimor.

Sipas OBSH-së, ky variant përmban mutacione në proteinën spike, pjesa e virusit që lidhet me qelizat njerëzore për të hyrë brenda tyre dhe për t’u shumuar. Këto ndryshime mund ta bëjnë virusin më të transmetueshëm dhe të zvogëlojnë efikasitetin e disa antitrupave, si atyre të krijuar pas infeksioneve të mëparshme ose vaksinimit.

Pavarësisht kësaj, OBSH vlerëson se rreziku i përgjithshëm për shëndetin publik mbetet i ulët në shkallë globale. Deri tani, nuk ka asnjë provë që Nimbus shkakton forma më të rënda të sëmundjes krahasuar me variantet e tjera të qarkullimit.

Po ashtu, nuk është vërejtur rritje e shtrimeve në spital apo e numrit të vdekjeve të lidhura me këtë variant. Ndryshe, simptomat e lidhura me NB.1.8.1 janë të ngjashme me ato të varianteve të tjera të COVID-19 dhe përfshijnë: dhimbje fyti, kollë, ethe, lodhje, dhimbje muskujsh, humbje të shijes ose nuhatjes, vështirësi në frymëmarrje dhe vjellje.

Ekspertët thonë se edhe pse ky variant mund të shmangë pjesërisht përgjigjen imunitare, ky nivel shmangieje është i ngjashëm me nënvariantët e tjerë të Omicron, që do të thotë se vaksinat aktuale dhe trajtimet si nirmatrelviri mbeten efektive, sidomos në parandalimin e formave të rënda të sëmundjes.

Megjithatë, grupet më të rrezikuara – si personat e moshuar, ata me imunitet të dobësuar apo me sëmundje kronike – duhet të qëndrojnë të kujdesshëm dhe të përditësojnë dozat përforcuese për të ruajtur mbrojtjen kundër infeksionit dhe ndërlikimeve që mund të sjellë. 

SHARE