Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Në konferencën “E ardhmja e zgjerimit të Bashkimit Evropian – e ardhmja është tani”, organizuar nga Kuvendi i Malit të Zi në bashkëpunim me Ministrinë për Çështje Evropiane, kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, theksoi rëndësinë thelbësore të Kuvendit si aktor kyç në procesin e integrimit evropian.
Ai përmendi se Kuvendi nuk është vetëm vend për debate politike, por edhe institucioni që miraton ligjet evropiane, ushtron kontroll demokratik dhe nxit dialogun publik mbi vlerat evropiane.
Mandiq nënvizoi se Mali i Zi është vendi më përparimtar ndër kandidatët për anëtarësim në BE, me 33 kapituj të hapur në negociata, 7 të mbyllur dhe plan për të mbyllur edhe 6 të tjerë deri në fund të vitit.
Ky progres sipas tij është dëshmi e vullnetit të fortë politik dhe reformave nga qeveria dhe shumica parlamentare.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Marjan Sharec, vuri në pah se raporti i fundit konfirmon Malin e Zi si lider në procesin e zgjerimit dhe që qytetarët mbështesin fuqishëm rrugën drejt BE-së. Ai bëri thirrje për përpjekje të bashkuara për përfundimin e shpejtë dhe efektiv të procesit, duke vënë në dukje edhe angazhimin e vendit si partner i besueshëm i NATO-s dhe pozicionin e tij të qartë për konfliktin në Ukrainë.
Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, foli për arritjet konkrete të Qeverisë, veçanërisht për mbylljen e kapitullit të prokurimeve publike, një nga kapitujt më të vështirë në negociata. Ajo theksoi rëndësinë e rikthimit të besimit përmes reformave dhe bashkëpunimit midis pushtetit dhe opozitës për çështjet kyçe evropiane, duke falënderuar institucionet evropiane për mbështetjen e vazhdueshme dhe duke theksuar se Mali i Zi po i shqyrton me kujdes të gjitha rekomandimet e fundit të Parlamentit Evropian.
Zëvendës-shefi i Delegacionit të BE-së në Mal të Zi, Rikardo Seri, përgëzoi Malin e Zi për arritjet dhe theksoi se bashkëpunimi mes pushtetit dhe opozitës është çelësi i suksesit. Ai nënvizoi se progresi i Malit të Zi në kapitujt negociues tregon qartë vullnetin politik dhe angazhimin e Bashkimit Evropian për zgjerim, duke e konsideruar këtë si një fitore të përbashkët.