Udhëheqësit e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian në samitin që u mbajt në Bruksel, të premten kërkuan shtensionim të menjëhershëm të situatës në Kosovë dhe paralajmëruan “pasoja negative” nëse nuk bëhet një gjë e tillë.
Në konkluzionet e miratuara në fund të samitit dyditor në Bruksel, një version të të cilit Radio Evropa e Lirë e kishte parë më herët, liderët përsëritën “përkushtimin e tyre të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE”.
Më tej u ritheksua “mbështetja për përshpejtimin e procesit të pranimit të bazuar në merita dhe reforma përkatëse”.
Një paragraf i veçantë i konkluzioneve u kushtohet tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në samit raporti iu dorëzua liderëve të BE-së nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
“Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës dhe bën thirrje për një shtensionim të menjëhershëm të situatës, bazuar në elementet kyçe që Bashkimi Evropian i ka theksuar tashmë më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushte për zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat e veriut të Kosovës. Dështimi i shtensionimit të tensioneve do të ketë pasoja negative”, theksuan liderët në konkluzionet e miratuara.
Ata theksuan se është thelbësor vazhdimi i dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit të saj.
Në konkluzione, shtohet se këtu përfshihet edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.