KE-ja KËRKON 2 MLD EURO SHTESË PËR BALLKANIN PERËNDIMOR

Udhëheqësja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen ka kërkuar edhe 2 miliardë euro shtesë për Ballkanin Perëndimor, gjatë shqyrtimit të kornizës afatmesme financiare të unionit, për rajonin.

Kjo shifër shtesë ëshhtë kërkuar për katër vitet e ardhshme, krahas mjeteve që ishin miratuar më herët në kornizën 7-vjeçare, përkatësisht për periudhën 2021-2027.

Edhe në të kaluarën, zyrtarët evropianë kishin deklaruar se është rritur nevoja për mjete financiare shtesë për Ballkanin Perëndimor, për shkak të sfidave të reja të paraqitura, që kryesisht kanë të bëjnë me sigurinë dhe lëvizjet e migrantëve.

Në arsyetimin e saj për buxhet shtesë, Komisioni Europian ka përmendur pandeminë, luftën në Ukrainë, krizën e energjisë, migracionin, inflacionin dhe rritjen e normës së interesit.

Një pjesë e parave shtesë që po kërkon KE-ja, parashihen të shkojnë si asistencë për shtetet e Ballkanit Perëndimor, kjo pasi blloku evropian vlerëson se përmes së ashtuquajturës “Rrugë Ballkanike” kalojnë një numër i madh i emigrantëve, që më pas shkojnë drejt shteteve të BE-së.

Gjithashtu, para të tjera do të ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, që të çojnë përpara procesin e integrimit në Bashkimin Europian, thuhet në arsyetimin e KE-së.

Për emigracionin, Komisioni Europian ka kërkuar 15 miliardë europ shtesë në katër vitet e ardhshme, para këto që do të përdoren për menaxhimin e krizës nga Siria, Turqia dhe disa vende në Afrikën e veriut.

SHARE