GJELOSHAJ TAKON MAJORIN E ROCHESTER HILLS, Z. BARNETT

Kryetari i komunës së Tuzit, në kuadër të vizitës së tij në SHBA, konkretisht takimin e parë në Detroit e ka zhvilluar me homologun dhe mikun e tij, majorin e Rochester Hills, Z. Bryan Barnett. Komuna e Tuzit dhe ajo Rochester Hills – Michigan ka kohë që janë të binjakëzuara. “Ky binjakëzim është bërë me ndërmjetësimin e diasporës tonë atje, e që ka sjellë përfitime në shumë fusha, ku dua të theksoj që vetëm në vitin 2009 kjo komunë shkollave të Malësisë, u dorëzojë materiale për zhvillimin e arsimit me vlerë e cila kalonte 10.000 dollar amerikan. Gjithashtu, të vetëdijshëm për nevojat që kishte komuna, para disa kohësh Komuna e Rochester Hills bëri donacion kamioni për mbeturina, i cili do të shfrytëzohet nga SHPK Komunale – Tuz, për çka edhe e falënderova majorin,” theksoi Gjeloshaj. Në takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit midis dy komunave, në fushën e ekonomisë, kulturës dhe turizmit si dhe u dakordësuan që brenda vitit një pjesë e stafit të Komunës së Tuzit të zhvillojnë një trajnim në Komunën e Rochester Hills me qëllim shkëmbimin e eksperiencave. Gjithashtu, majori Barnett me kënaqësi e pranojë ftesën e kryetarit Gjeloshaj për të vizituar komunën e Tuzit bashkë me një pjesë të stafit do jenë në vizitë zyrtare. Siç njoftoi Gjeloshaj, në takim i pranishëm ishte edhe bashkëvendësi Ruzhdi Gjokaj.

SHARE