SINDIKATA E ARSIMIT: CENTRALIZIMI I PAGAVE NË ARSIM MUND TË SJELLË ULJE DERI NË 50 EURO

Foto: Ilustrim

Gjatë mbledhjes së Komitetit Kryesor të Sindikatës së Arsimit të Malit të Zi, më 28 maj, u kritikua ashpër qëllimi i Ministrisë së Financave për të centralizuar përllogaritjen e pagave, që sipas sindikatës mund të sjellë ulje të të ardhurave për punonjësit e arsimit.  

Në këtë takim u diskutua situata aktuale në sektorin e arsimit dhe u analizuan aktivitetet e sindikatës gjatë periudhës së kaluar.

Ministria e Financave planifikon të ketë kontroll të plotë mbi përllogaritjen e pagave, por ky centralizim, sipas sindikatës, parashikon ulje të pagave për shumë kolegë, në shumën deri në 50 euro, varësisht nga përvoja e punës.

Sindikalistët theksuan se janë për centralizimin dhe transparencën e sistemit të përllogaritjes së pagave, por nuk do të pranojnë asnjë ulje të pagave të kolegëve të tyre.

Sipas të dhënave të MONSTAT, paga mesatare në arsim në mars ishte 953 euro, që është 50 euro më pak se paga mesatare në nivel shteti, duke treguar se kushtet janë për rritje dhe jo për ulje të pagave.

Po ashtu, theksuan se pagat aktuale përllogariten në përputhje me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe Marrëveshjen Kolektive për Arsimin, dhe pretendimet për rritje jashtë këtyre ligjeve janë të pabaza.

Sindikalistët kërkuan që të gjitha zgjidhjet e ardhshme të jenë në përputhje me Marrëveshjen Kolektive për Arsimin.

Në takim u diskutua edhe për Ligjin e ri të grevës, i cili është në proces ndryshimesh dhe plotësimesh, me shpresën që të përcaktohet më qartë akti për minimumin e shërbimit gjatë grevave.

SHARE