SHBA-ja NË OKB: RUSIA DUHET TA PRANOJË MARRËVESHJEN PËR PËRFUNDIMIN E LUFTËS NË UKRAINË

Foto nga arkivi

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, John Kelley, tha para Këshillit të Sigurimit të OKB-së të enjten vonë se marrëveshja e tanishme që është ofruar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, është rezultati më i mirë i mundshëm për Rusinë dhe se presidenti Vladimir Putin duhet ta pranojë atë.

“Zgjatja e luftës nuk është në interesin e askujt”, tha John Kelley, përfaqësuesi i përkohshëm i SHBA-së në OKB, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund ta shqyrtojnë “tërheqjen” nga përpjekjet për bisedime, nëse Rusia “merr vendimin e gabuar për ta vazhduar këtë luftë katastrofike”.

Kelley shtoi se sanksione shtesë kundër Rusisë janë ende në tavolinë.

Kremlini tha të enjten se po pret përgjigjen e Kievit për propozimin e tij për bisedime të reja në Stamboll më 2 qershor.

“Me aq sa di unë, ende nuk ka përgjigje… Duhet të presim një përgjigje nga pala ukrainase”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Këshilltari i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina është e gatshme të marrë pjesë, por dëshiron t’i shohë paraprakisht propozimet e Rusisë për përfundimin e luftës.

“Ukraina është e gatshme të marrë pjesë në takimin e radhës, por duam të kemi një diskutim konstruktiv”, tha Andriy Yermak.

“Kjo do të thotë se është e rëndësishme të marrim draftin e Rusisë”, shtoi ai.

Peskov e quajti kërkesën e tij “jokonstruktive”.

Ukraina tha se i ka dorëzuar tashmë Rusisë vizionin e saj për një marrëveshje paqeje.

Zelensky e akuzoi Rusinë për “një tjetër mashtrim” duke mos dorëzuar propozimin e saj për paqe para takimit të propozuar në Stamboll.

“Edhe i ashtuquajturi ‘memorandum’ që premtuan dhe që gjoja është përgatitur prej më shumë se një jave, nuk është parë ende nga askush”, tha Zelensky në adresimin e tij të përnatshëm me video.

“Ukraina nuk e ka marrë atë. As partnerët tanë nuk e kanë marrë. As Turqia, që e priti takimin e parë, nuk ka marrë agjendën e re”, tha ai. “Pavarësisht premtimeve të kundërta, para së gjithash ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj presidentit Trump: një tjetër mashtrim rus”.

Rusia tha se do të përdorë takimin e 2 qershorit për të paraqitur një “memorandum” që përshkruan kushtet e saj për një marrëveshje për paqe.

“Delegacioni ynë, i udhëhequr nga Vladimir Medinsky, është gati t’i paraqesë një memorandum delegacionit ukrainas dhe të ofrojë shpjegimet e nevojshme gjatë rundit të dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta në Stamboll të hënën, më 2 qershor”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një deklaratë më 28 maj.

Lavrov tha se memorandumi do të shpjegojë pikëpamjet e Rusisë “për të gjitha aspektet e kapërcimit në mënyrë të besueshme të shkaqeve rrënjësore të krizës”.

SHARE