NATO SHTON TRUPAT NË KOSOVË / KONTIGJENT SHTESË PAS DHUNËS SERBE NDAJ KFOR NË VERI

Pas protestave të dhunshme të regjistruara të hënën në veri të Kosovës, të shoqëruara me plagosjen e dhjetëra ushtarëve të NATO-s, pjesë e KFOR-t, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës por edhe punonjësve dhe automjeteve të mediave, ka reaguar sërish NATO.

Si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri aleanca veri-atlantike ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.

NATO-ja e ka bërë të ditur këtë vendim, përmes një postimi në Twitter. Sipas NATO-s, vendimi për shtim të numrit të forcave është marrë në mënyrë që KFOR-I të mund të garantojë sigurinë, në përputhje me mandatin që ka.

Admirali Stuart B. Munsch, komandant i NATO-s për forcat në Napoli, i ka përgëzuar ushtarët e KFOR-it për reagimin e shpejtë dhe të përmbajtur, për të parandaluar trazirat dhe për të shpëtuar jetë.

“Dhuna duhet të ndalet, dhe të gjitha palët duhet të shmangin veprime që minojnë paqen në Kosovë”, ka thënë Munsch.

NATO më tej thekson në postim se po monitoron nga afër situatën në Kosovë dhe do të vazhdojë të koordinohet me KFOR-in për të siguruar që ata të kenë të gjitha aftësitë dhe forcat që u nevojiten në mënyrë të paanshme, për të siguruar një mjedis të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet.

SHARE