NË SAMITIN E BALLKANIT TË HAPUR SI VËZHGUES, SYNIMI YNË ËSHTË BE

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq tha se është thelbësore për rajonin që të bashkëpunojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke thënë se duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin gjatë rrugës. Sipas kryeministrit, synimi ynë është anëtarësimi në BE dhe “nuk na intereson asnjë zëvendësim për këtë”. “Ne nuk shkojmë në Ohër për të emëruar një anëtar të Open Balkan. Ne po shkojmë si vëzhgues, do të shqyrtojmë se çfarë është e mirë për vendin, nëse del e mirë, nuk kam asgjë kundër bashkimit me nismën”, tha Abazoviq. I pyetur nëse do të kërkonte mbështetjen e Frontit Demokratik për t’iu bashkuar nismës Ballkani i Hapur, nëse nuk do ta kishte nga partnerët e tij të koalicionit, Abazoviq u përgjigj se nuk ka nevojë për ndonjë mbështetje të veçantë. “Politika e jashtme udhëhiqet nga qeveria. Parlamenti mund të përdorë mekanizmat e tij, të cilët janë të ligjshëm dhe legjitim,” tha Abazoviq. “Ne duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë rrugë. Rajoni ka vuajtur pasojat e politikave të papërgjegjshme për një kohë të gjatë, tani duhet të fillojmë ndryshe”, tha Abazoviq. Ai theksoi se ngjarjet në Ukrainë janë një kujtesë e madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Kemi kaluar luftëra, agresione. Ne e dimë se çfarë do të thotë krime lufte. Ne duhet të punojmë së bashku për të kontribuar për paqen. Ky është detyrimi ynë”, ka thënë Abazoviq.

SHARE