Qeveria e Malit të Zi do të sigurojë financim për absolutisht të gjitha obligimet ligjore, pagat, pensionet dhe përfitimet sociale, të cilat nuk do t’i zvogëlojë dhe nuk ka arsye për këtë, tha ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq. Në një intervistë për “Vijesti”, ai tha se qeveria sigurisht që do të përpiqet të përmirësojë në masën më të madhe zgjidhjet e caktuara për të shpëtuar nga goditjet inflacioniste kategoritë e cenueshme të popullsisë, para së gjithash pensionistët. “Prandaj, të gjitha problemet e dukshme të shkaktuara nga politika e re e miratuar mbi taksat dhe pagat do të zgjidhen në vazhdimësi, të gjitha të drejtat do të ruhen, do të përmirësohen në masë të madhe dhe rritja e standardit të jetesës të qytetarëve dhe mbështetja për ekonominë vendase do të jetë në fokus të politikës ekonomike të Qeverisë së re,” tha Damjanoviq. Sot ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq, u përgjigjë pyetjeve të deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi në kuadër të seancës së posaçme me temë “Gjendja në financat publike të Malit të Zi”. Ai përkujtoi se ndryshimet në Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor parashikojnë harmonizimin e pensioneve më 1 shtator, krahas atij të 1 majit. “Përveç kësaj, nuk do të ketë rritje të tjera. “Ne do të përpiqemi dhe do të bëjmë gjithçka për të parë që pas ribalancit në korrik, të krijojmë hapësirë për të shkuar drejt pensionistëve me masa të caktuara që të paktën do të ruanin standardin e tyre ekzistues,” tha Damjanoviq, duke iu përgjigjur një pyetjeje të deputetit të PDS-së Nikolla Rakoçeviq. Deputetja Zdenka Popoviq (Mali i Zi Demokratik) pyeti, duke qenë se kjo po dëgjohet gjithnjë e më shpesh në publik, nëse kjo qeveri do t’i shfuqizojë apo të ulë tarifat dhe pagat e caktuara. Damjanoviq e mohoi këtë. “Përderisa unë qëndroj nga ky pozicion, e drejta sociale apo e drejta për pagat dhe pensionet nuk do të reduktohet dhe do të bëj çmos që t’i rrisim”, tha ministri i Financave.