Foto: CDM
Komuniteti shqiptaro-amerikan i ka bërë thirrje kryeministrit të Malit të Zi, Millojko Spajiq, që të ndalojë të gjitha negociatat lidhur me Plazhin e Madh derisa administrata komunale e Ulqinit dhe aktorët lokal të përfshihen në procesin e marrjes së vendimeve.
Ata i janë drejtuar Spajiqit me një letër, e cila i është dërguar gjithashtu edhe presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë:
“Ne, anëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan, që kemi lidhje të thella personale dhe historike me Malin e Zi, veçanërisht me Ulqinin, po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë serioz lidhur me miratimin e fundit të dy marrëveshjeve kontroverse me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) nga ana e Parlamentit të Malit të Zi. Këto marrëveshje hapin rrugën për zhvillimin e Plazhit të Madh në Ulqin – një projekt në shkallë të gjerë që ka shkaktuar tashmë reagime të mëdha publike.
Megjithëse e mbështesim zhvillimin e këtij rajoni nga shteti apo përmes investimeve të huaja direkte (IHD), procedurat aktuale, të cilat po zhvillohen me shpejtësi dhe pa transparencën e nevojshme, përbëjnë shkelje të ligjeve vendase dhe ndërkombëtare.
Procesi i deritanishëm ka përjashtuar pushtetin lokal komunal, banorët si dhe ekspertët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Këto përjashtime janë në kundërshtim me normat e Bashkimit Evropian dhe minojnë kuadrin ligjor, parimet demokratike dhe të drejtat e pakicës shqiptare. Mospërfshirja e palëve të interesuara lokale jo vetëm që bie ndesh me Ligjin për planifikimin hapësinor të Malit të Zi dhe Ligjin për pronën shtetërore – të cilat kërkojnë konsultime dhe menaxhim të drejtë – por gjithashtu përkeqëson sfidat historike. Në veçanti, Neni 64 i Ligjit për pronën shtetërore i vitit 2009, që lidhet me tokën komunale dhe investimet, si dhe heqja në mënyrë të padrejtë e pjesëmarrjes pronësore të komunës së Ulqinit në ndërmarrjet shtetërore të mëparshme që ndodhen nën juridiksionin e saj, e komplikojnë më tej situatën. Këto mangësi procedurale janë në kundërshtim të fortë me standardet e qeverisjes që Mali i Zi është zotuar t’i respektojë, veçanërisht në dritën e përpjekjeve të tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Plazhi i Madh ka një rëndësi të madhe mjedisore në nivel ndërkombëtar, duke përfshirë ekosistemin e Bunës dhe Kripores së Ulqinit, dhe ka një vlerë të konsiderueshme kulturore për komunitetin shqiptar. Realizimi i investimeve zhvillimore pa masa të rrepta për mbrojtjen e mjedisit dhe pa përfshirjen e popullsisë lokale paraqet një kërcënim për dëm të pakthyeshëm. Ne e mbështesim fuqimisht që, për të arritur sukses afatgjatë, të gjithë planet e zhvillimit duhet të jenë në përputhje me standardet e qëndrueshmërisë, të harmonizuara me udhëzimet e BE-së, Kombeve të Bashkuara dhe UNESCO-s.
Ekzistojnë probleme sistematikë që lidhen me Ligjin për Të Mirat Detare, i cili centralizon menaxhimin e bregdetit dhe minon qeverisjen lokale, duke margjinalizuar popullsinë shqiptare të Ulqinit dhe shkelur parimin e subsidiaritetit. Respektimi i Konventës Kornizë të Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare kërkon pjesëmarrje aktive të komunitetit shqiptar në vendimet që ndikojnë në jetën e tyre. Ne kundërshtojmë fuqishëm çdo përpjekje për të anashkaluar procedurat e drejtë përmes shkurtimit të ligjvënies përmes ‘Lex Specialis’-it.
Për të zgjidhur këto probleme dhe për të siguruar që zhvillimi të jetë në përputhje me angazhimet ligjore dhe ndërkombëtare të Malit të Zi, me respekt, ju ftojmë të merrni masat e mëposhtme menjëherë:
- Ndërpritni të gjitha negociatat lidhur me Plazhin e Madh derisa administrata komunale e Ulqinit dhe aktorët lokalë të përfshihen në procesin e marrjes së vendimeve me ndikim të rëndësishëm.
- Porositni një auditim të paanshëm dhe gjithëpërfshirës për të shqyrtuar statusin ligjor të projektit, ndikimin në mjedis, pasojat shoqërore dhe përputhshmërinë me standardet e BE-së, duke siguruar që rezultatet të jenë të disponueshme publikisht.
- Konfirmoni publikisht angazhimin e Malit të Zi dhe të qeverisë tuaj për parimet e autonomisë komunale, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve kombëtare sipas ligjeve vendase dhe ndërkombëtare dhe zbatimin e rregulloreve transparente të BE-së për këtë projekt.
Si mbështetës të investimeve, besojmë se e ardhmja e qëndrueshme e rajonit arrihet më së miri përmes financimit transparent nga investitorë ndërkombëtarë të nderuar, në bashkëpunim me organet shtetërore dhe lokale. Jemi të përkushtuar për suksesin e të gjitha projekteve në Ulqin dhe në Malin e Zi dhe për shmangien e shumë rasteve të kaluara, kur entuziazmi i pritur u shndërrua në zhgënjime publike.
Zhvillimi duhet të shërbejë interesave afatgjata të të gjithë qytetarëve, duke respektuar sundimin e ligjit, integritetin e mjedisit dhe trashëgiminë kulturore.
E vlerësojmë vëmendjen tuaj ndaj këtyre çështjeve kyçe për votuesit tuaj dhe presim përgjigjen tuaj të shpejtë”, thuhet në letër.
Nënshkruesit: Cafo Boga, Sado Dollaku, Mark Gjonaj, Sabri Gjoni, Richard Lukaj, Nik Markola, Etrita Ibroci , Naser Çobi.