Foto: Telegrafi
“Bashkëpunoni me ne për reformat, në mënyrë që anëtarësimi juaj në Bashkimin Evropian të bëhet i mundur”, u shpreh në Beograd komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, pas takimit me kryeministrin e Serbisë, Gjuro Macut, më 29 prill.
Kos theksoi reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, lirinë e medias dhe përmirësimin e procesit zgjedhor si probleme në të cilat Serbia duhet të punojë.
“Bashkëpunoni me ne për krijimin e një gjyqësori të pavarur që mund të luftojë në mënyrë efektive korrupsionin, për zbatimin e ligjit dhe krijimin e institucioneve që do të mundësojnë media të lira, ku të gjitha mendimet të përfaqësohen”, theksoi komisionerja evropiane.
“Bashkëpunoni me ne për të vendosur një kornizë zgjedhore që do të sigurojë që vullneti i popullit serb të dëgjohet dhe që vendimet të merren në bazë të tij”, shtoi ajo.
Komisionerja evropiane vlerësoi se pa këto ndryshime, Serbia “nuk mund të përparojë”.
“Ajo që po kërkojmë është në fakt shumë afër asaj që po kërkojnë njerëzit që protestojnë në rrugë”, tha Kos, duke iu referuar protestave masive disamujore në Serbi.
Një ditë më parë, gjatë një vizite në Pragë, Kos foli edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, duke thënë se para se Kosova ta marrë statusin e vendit kandidat, do të duhet t’i plotësojë disa parakushte, si normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.
Takimin e parë me kryeministrin Macut, që prej marrjes së detyrës në krye të Qeverisë së Serbisë, ajo e vlerësoi si “shumë pozitiv”.
Ajo tha se mbështet integrimin evropian të Serbisë dhe se pret që Qeveria “të bëjë pjesën e saj”.
“Jam e sigurt që mund të llogaris te ju si partner në këtë përpjekje”, i tha ajo kryeministrit.
Komisionerja evropiane shtoi se ndan të njëjtin qëndrim me kryeministrin Macut sa i përket zgjidhjes së problemeve në shoqëri përmes përfshirjes së të gjithë aktorëve.
“Sepse transformimi i vërtetë duhet të vijë nga brenda, nuk mund të vijë nga jashtë”, shtoi ajo.
Kos njoftoi se gjatë vizitës dyditore në Beograd do të ketë një sërë takimesh.
Ajo tha se do të takohet me përfaqësues të partive politike të pushtetit dhe opozitës, të organizatave të shoqërisë civile, si dhe me përfaqësues të studentëve që kanë bllokuar fakultetet, por edhe me ata që janë kundër bllokadave.