RUSIA GODET KËSHTJELLËN E “HARRY POTTER” NË ODESA, 5 TË VRARË, DHJETËRA TË PLAGOSUR

Vetëm disa orë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për dërgesa më të shpejta të armëve aq të nevojshme për ushtrinë e vendit të tij, të përballur me agresionin brutal të Moskës, forcat ruse goditën në qytetin e Odesës një strukturë të njohur si “Kështjella e Harry Potterit”.

Pesë persona humbën jetën e dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmi i befasishëm në qytetin port; tre prej vitkimave ishin gra.

Në mesin e të lënduarve janë edhe dy fëmijë, njëri 16 dhe tjetri 5 vjeç, si dhe dhe një grua shtatzënë. Fëmija 5-vjeçar është në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, thonë zyrtarë vendas, e gjithashtu në luftë për jetën janë edhe gjashtë nga të rriturit. Zelensky iu lut më herët sërish aleatëve të Ukrainës për kundërajrorë dhe furnizim të shpejtë me armë.

“Mbështetje në kohë për ushtrinë tonë. Sot nuk shoh ende asgjë pozitive në këtë pikë. Ka furnizime, kanë filluar dalëngadalë, por ky proces duhet të përshpejtohet”, tha ai.

Një fluks armësh pritet pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden nënshkroi një paketë me ndihmë ushtarake prej 61 miliardë dollarësh të vonuar javën e kaluar. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Jens Stoltenberg, duke vizituar kryeqytetin ukrainas për herë të tretë që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022, e pranoi se “vonesat serioze në mbështetje kanë sjellë pasoja serioze në fushën e betejës”.

SHARE