PREZANTOHET QEVERIA E RE E SERBISË / BEOGRADI SFIDON SHBA, DY “NON GRATA” NË KABINET

Gati 5 muaj nga zgjedhjet parlamentare, Serbia ka gati qeverinë e re. Millosh Vuçeviç, i mandatuar si kryeministër i ri i Serbisë ka prezantuar këtë të martë përbërjen e qeverisë së re që pritet t’i paraqitet të mërkurën Kuvendit për votim.

Qeveria e tij do të përbëhet nga 30 ministra, pesë prej tyre do të jenë ministra shteti pa portofol.

Ajo që bie në sy në përbërjen e qeverisë është rikthimi në postin e zëvendëskryeministrit i Aleksandër Vulin, ish-kreu i Shërbimit Sekret dhe i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të lidhjeve të tija me Rusinë.

Shefi aktual i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, do të mbajë postin e zëvendëskryeministrit dhe do të drejtojë edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratisllav Gashiç, i cili deri më tani mban postin e ministrit të Brendshëm.

Marko Gjuriç, ish-ambasador i Serbisë në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi, do t’i bashkohet Qeverisë si ministër i Punëve të Jashtme.

Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviç, do të jetë po ashtu pjesë e qeverisë si ministër pa portofol.

Vetë Millosh Vuçeviç që është mandatuar si kryeministër nga Partia përparimtare e Aleksandër Vuçiç do të zëvendësojë në këtë post Ana Bërnabiç, e cila është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Serbisë.

SHARE