Në kontekstin e krizës së koronavirusit, gazetarët dhe media luajnë një rol dhe përgjegjësi kryesore në sigurimin e informacionit të saktë dhe në kohë për qytetarët, njoftoi Këshilli i Evropës në prag të Ditës së Lirisë së Medias, 3 maj.
Qeveritë e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës u kërkohet të shmangin kufizimet e padrejta mbi lirinë e mediave gjatë krizës COVID-19.
“Qeveritë përballen me sfida të pashembullta gjatë krizës COVID-19, por situata nuk duhet të përdoret për të heshtur ose penguar gazetarët,” tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës Marija Pejçinoviq Buriq.
Ajo shprehet se është roli i gazetarëve dhe medieve për të mbikëqyrur vendimet e autoriteteve që janë marrë në përgjigje ndaj pandemisë.
Në të njëjtën kohë, ajo thekson rëndësinë e raportimit të përgjegjshëm në mënyrë që të parandalojë panik dhe të nxjerrë në pah shembuj pozitivë të solidaritetit në shoqëri.
Këshilli i Evropës gjithashtu shpreh shqetësimin për rezultatet e raportit të fundit nga një grup i OJQ-ve që merren me mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, gjë që tregon se tendenca e dhunës dhe frikësimi i gazetarëve vazhdoi gjatë gjithë vitit 2019.
Ajo u bëri thirrje shteteve anëtare të Këshillit të Evropës të mbrojnë rolin e gazetarëve si “mbrojtës” të ekuilibrit në shoqëritë demokratike.
Raporti vjetor i Platformës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve, botuar dje nga 14 organizata joqeveritare ndërkombëtare, citon 142 kërcënime serioze për gazetarët në 47 shtete anëtare të Këshillit të Evropës.
Këto përfshijnë 33 sulme fizike ndaj gazetarëve, 17 raste të reja ndalimi dhe burgosje, 43 raste të ngacmimit dhe kanosjes dhe dy raste të reja të mosndëshkimit për vrasje.