SHËRBIMET PEDIATRIKE GJATË NATËS DO TË ORGANIZOHEN NË INSTITUTIN PËR SËMUNDJET E FËMIJËVE NË PODGORICË

Foto: Montenegro magazin

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar iniciativën për organizimin e ofrimit të shërbimeve pediatrike gjatë orëve të natës nga Qendra Shëndetësore e Kryeqytetit Podgoricë, në hapësirat e Institutit për Sëmundjet e Fëmijëve në Qendrën Klinike të Malit të Zi.

Sipas njoftimit të Qeverisë, Qendra Shëndetësore e Podgoricës, në bashkëpunim me Qendrën Klinike të Malit të Zi, është e obliguar të organizojë shërbime pediatrike në periudhën nga ora 21:00 deri në 07:00 të mëngjesit në ambientet e Institutit për Sëmundjet e Fëmijëve.

Siç është raportuar më herët, mjekët e këtij instituti kanë paralajmëruar prej kohësh se puna e natës është bërë e paqëndrueshme, pasi një numër i madh prindërish kërkojnë ndihmë edhe për raste që nuk janë urgjente.

Për të lehtësuar ngarkesën e stafit shëndetësor dhe për të siguruar shërbime më të shpejta dhe efikase për fëmijët, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Qendrën Shëndetësore të Podgoricës, ka gjetur këtë zgjidhje të re.

Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore të Podgoricës, Dragana Peroviq Durkoviq, ka theksuar se institucioni ka mjaftueshëm pediatër për të mbuluar punën e natës, me ndihmën e kolegëve nga Instituti për Sëmundjet e Fëmijëve. Sipas saj, kujdestaritë do të organizohen afërsisht një herë në 35 deri në 40 ditë, gjë që është e përballueshme për stafin.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit për Sëmundjet e Fëmijëve, Zhelko Marash, ka theksuar se stafi mjekësor është tashmë i mbingarkuar, pasi përveç punës në reparte dhe në kujdesin intensiv, mjekët mbulojnë edhe ambulancën e natës. Sipas tij, çdo natë në këtë ambulancë trajtohen mesatarisht 20–30 pacientë, ndërsa gjatë sezonit të infeksioneve virale ky numër mund të arrijë deri në 60 pacientë. Ai ka shtuar se vetëm një përqindje e vogël e tyre kërkon trajtim spitalor.

Kujdestaria gjatë natës në Qendrën Shëndetësore të Podgoricës është hequr në vitin 2023, pas së cilës ky shërbim është marrë përsipër nga Instituti për Sëmundjet e Fëmijëve.

SHARE