RAMA: SIGURIA USHQIMORE, SFIDA KRYESORE NË PROCESIN E NEGOCIATAVE ME BE-në

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sot, gjatë prezantimit të ecurisë së negociatave me Bashkimin Europian, se sfida e sfidave mbetet siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit në tërësi.

Ndaj, Kryeministri theksoi se reforma e inspektimit duhet të vazhdojë dhe është kyç drejtimi politik i reformës nga të gjitha ministritë.

“Duhet të mbrohet reforma nga ndërhyrjet partiake dhe nga ‘qokat’ politike. Është e domosdoshme që ajo që ka filluar me AKU-në të vazhdojë të shtrihet me të gjithë inspektoratet e tjera, për të garantuar burime njerëzore cilësore”, tha Rama.

Sipas tij, niveli i inspektimit duhet të rritet ndjeshëm, pasi është kyç për të garantuar reformat që janë duke u bërë.

Rama solli në vëmendje kontrollin e kryer nga institucionet e BE-së lidhur me pikat ku trajtohet gjëja e gjallë.

“Është një nga komponentët më delikatë dhe më të vështirë të procesit të anëtarësimit në BE dhe ka qenë i tillë për të gjitha vendet që kanë hyrë përpara nesh. Dhe kontrollet e kryera kanë lënë një sërë detyrash, plotësimi i të cilave e çon më përpara progresin edhe e bën më të afërt plotësimin e kushteve në këtë fushë, që kërkon monitorim dhe kontroll shumë sistematik dhe shumë kompetent nga ana e institucioneve tona”, tha Rama.

Ky proces, sipas tij, duhet të shoqërohet me një rritje të cilësisë së inspektimit, qoftë në burime njerëzore, qoftë në teknologji.

SHARE