Foto: RTNK
Në Mal të Zi, pas raundit të ri të negociatave mes kryeministrit Millojko Spajiq dhe partnerëve socialë, nuk është arritur marrëveshje për rritjen e pagave dhe për një Kontratë të re Kolektive të Përgjithshme.
Si kompromis, marrëveshja aktuale është zgjatur edhe për një muaj, ndërsa bisedimet do të vazhdojnë më 15 prill.
Sipas përfaqësuesve sindikalë, në 15 ditët e ardhshme do të intensifikohen negociatat mes qeverisë dhe punëdhënësve, me qëllim harmonizimin e qëndrimeve për rritjen e vlerës së koeficientëve dhe kompleksitetit të punës.
Sindikatat kanë theksuar se nuk pranojnë zgjatjen e marrëveshjes përmes ndryshimeve në Ligjin e Punës, duke kërkuar që ajo të mbetet pjesë e dialogut social dhe të mos kalojë në parlament.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e punëdhënësve kanë deklaruar se kanë tentuar të gjejnë një kompromis, por theksojnë se sfida kryesore është qëndrueshmëria e bizneseve.
Ata paralajmërojnë se rritjet e pagave duhet të jenë të balancuara për të mos rrezikuar funksionimin e kompanive dhe ekonomisë.
Sindikatat vazhdojnë të kërkojnë rritje pagash për të gjithë të punësuarit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
Ata gjithashtu theksojnë ndikimin e inflacionit dhe largimin e fuqisë punëtore si probleme kryesore, duke shtuar se efektet e politikave të mëparshme të pagave janë zbehur.
Një takim i ri me kryeministrin pritet në mesin e prillit, kur mund të përcaktohet drejtimi përfundimtar i negociatave.
Sindikatat paralajmërojnë se vendimi për protesta eventuale do të merret pas këtij takimi, ndërsa presin që rritja e pagave të fillojë nga muaji maj, në varësi të marrëveshjes përfundimtare.











