Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se do të ftojë në takime liderët e partive opozitare, në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Ai tha se deri më tani nuk ka pasur kohë për të zhvilluar konsultime të brendshme lidhur me këto takime për shkak të një vizite në Paris të Francës. Por, ai shtoi se ato do të ndodhin së shpejti.
“Do të bëj ftesa për takime për kryetarët e partive opozitare që të shohim se cilat janë rrugët që ta arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve”, tha Kurti.
Kurti tha se konsultimet e brendshme do t’i zhvillojë sot dhe nesër e pastaj do të vijnë ftesat për opozitën.
I pyetur se a do të tërhiqen kandidaturat e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufcës, dhe deputetes së LVV-së, Fatmire Kollçakut, për postin e presidentit, Kurti tha se “do të shihet se çka është e mundur ligjërisht”.
Sipas tij, për të qenë i sigurt procesi i zgjedhjes së presidentit, nevojitet një mbështetje edhe më e gjerë në Kuvend.
“Duhet të jemi rreth 85 që të jemi të sigurt që ta zgjedhim presidentin aty dhe për këtë do të bëj edhe ftesa dhe do të zhvilloj edhe takime”, theksoi ai.
Kurti nuk dha detaje se çfarë ofertash konkrete mund të paraqiten në këto takime, duke shtuar se kjo do të bëhet e ditur vetëm pasi të zhvillohen ato.
Deklaratat e Kurtit vijnë në një kohë kur procesi për zgjedhjen e presidentit është futur në një afat të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.










