Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se çështja e zgjedhjes së presidentit mund të zgjidhet vetëm përmes vullnetit politik dhe dialogut mes partive, duke theksuar se nuk ka pengesa ligjore për tërheqjen e kandidaturave apo nënshkrimeve.
Ajo hodhi poshtë idenë për zgjedhje të reja, duke kujtuar se qytetarët kanë votuar së fundmi dhe se nuk ka arsye për kthim në zgjedhje.
Haxhiu bëri thirrje për qasje konstruktive nga opozita dhe theksoi rëndësinë e takimeve mes liderëve politikë për të gjetur zgjidhje.
Duke folur për zhvillimet në Kuvend, ajo sqaroi se seanca e 5 marsit nuk është mbyllur, por vetëm e ndërprerë, dhe pritet vazhdimi i saj.
Haxhiu u ndal edhe te çështja e një ekspozite të tërhequr nga sheshi pas reagimeve publike, duke shprehur keqardhje dhe duke theksuar se Kuvendi nuk e kishte organizuar atë.
Ajo njoftoi se do të ndërmerren ndryshime në rregullore për të krijuar komisione profesionale që do të vlerësojnë raste të ngjashme në të ardhmen.
Në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, më 2 prill, do të shqyrtohen disa marrëveshje ndërkombëtare dhe do të trajtohet çështja e plotësimit të bordeve në institucione të pavarura, ku aktualisht mungojnë disa pozita për shkak të vonesave institucionale.










