Qeveria e Malit të Zi në seancën e sotme njëzëri zgjodhi shefin e deritanishëm te policisë së Budvës, Nikolla Terziq, për ushtrues detyre të drejtorit të Drejtorisë së Policisë.
Paraprakisht, anëtarët e ekzekutivit kanë shkarkuar Zoran Brgjanin nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Policisë.
Abazoviq theksoi se në asnjë moment nuk e ka vënë në dyshim kapacitetin intelektual apo profesional të Brgjanin, me të cilin dëshiron të mbajë komunikim të shkëlqyer.
Ai theksoi se falë aktiviteteve të Ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrisë, arritën të zhbllokojnë dërgimin e të dhënave të Europolit.
Ai thotë se e di pse EUROPOL nuk donte të bashkëpunonte me struktura të caktuara policore në Mal të Zi.
“Unë e di, ata duket se nuk e dinë, ndoshta as qytetarët, por ne nuk mund ta lejojmë më këtë.”
Ministri pa portofol Zoran Milaniq i bëri thirrje ministrit të Financave Aleksandar Damjanoviq që t’i shpërblejë në mënyrë adekuate policët e Departamentit të Policisë Speciale dhe t’u njihet puna e mundimshme e tyre shumëmujore.
Abazoviq tha se Qeveria i jep mbështetje të plotë të gjithë njerëzve në sektorin e sigurisë, për të spastruar të gjithë personelin që në çfarëdo mënyre përkrah grupet kriminale.