GJEKA: PËRQINDJA E GRAVE NË USHTRINË E MALIT TË ZI ËSHTË 15.7%, POR ENDE E PAMJAFTUESHME

“Si anëtarë të NATO-s, misioni ynë është të forcojmë themelet mbi të cilat do të mbështetet zhvillimi i shoqërisë sonë dhe të vendosim një vizion për stabilitetin, demokracinë dhe sundimin e ligjit në vendet tona”, tha ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave Fatmir Gjeka.

Këtë e tha në konferencën rajonale ““Të shtyjmë kufijtë me zë të lartë dhe me guxim”, organizuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, e cila filloi sot në Shkup.

Ai tha se përmes bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar mund të shkëmbehen shembuj dhe histori pozitive, të cilat secili vend mund t’i zbatojë duke iu përshtatur rrethanave të tij dhe shtoi se konferenca e sotme është simbol i një bashkëpunimi të tillë dhe një mundësi për të ndarë përvojat tona të mira dhe më pak të mira.

Ministri tha se përqindja e femrave në Ushtrinë e Malit të Zi është 15.7%, dhe se përqindja është në rritje në krahasim me periudhën paraprake, por që është e qartë se nuk mjafton.

“Shteti i Malit të Zi njeh kontributin e jashtëzakonshëm të grave në krijimin e një sistemi mbrojtës gjithëpërfshirës, ​​modern dhe më efikas, si dhe faktin që integrimi i perspektivës gjinore dhe përfaqësimi më i madh i grave në siguri dhe mbrojtje kontribuojnë në forcimin e institucioneve dhe vendime më të mira”, theksoi Gjeka.

Në panelin “Gratë me uniformë – duke luftuar në dy fronte”, ai i njohu pjesëmarrësit me strukturën aktuale të personelit profesionist ushtarak, ku përfaqësimi i grave është 10,83%, por që ka pasur një rritje të përqindjes së pozicioneve komanduese dhe këshilluese në Ushtri, e cila tani është rreth 7%.

Gjithashtu, 28 gra në Ushtrinë e Malit të Zi kanë marrë pjesë deri më tani në disa nga misionet dhe operacionet ndërkombëtare.

“Siguria e Malit të Zi reflekton sigurinë e gjithë rajonit. Prandaj jemi gati të jemi pjesë e një ekipi që do të ndikojë në pozitën më të mirë dhe mundësitë më të mëdha të grave në këtë sektor jashtëzakonisht të rëndësishëm”, theksoi Gjeka.

SHARE