Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten para mediave se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe në botë kudo ku ka nevojë, teksa e ka komentuar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, nismë e presidentit amerikan, Donald Trump në kuadër të planit për të rindërtuar Gazën e shkatërruar nga lufta.
Përmes këtij bordi, Shtetet e Bashkuara synojnë zgjidhjen e konflikteve globale.
Duke folur për herë të parë për Bordin e Paqes, Kurti ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në të është vazhdimësi e kontributit të Kosovës për Gazën, duke nisur me pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përkatësisht me gjeneral-lejtnant komandantin, Bashkim Jashari.
“FSK-ja është e mirënjohur tashmë për kërkim-shpëtim dhe për deminim, por jo vetëm”.
Kurti i është referuar pjesëmarrjes së FSK-së në një konferencë të organizuar në dhjetor të vitit 2025 në Doha të Katarit nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara për të diskutuar për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese. “Prandaj kemi qenë të interesuar të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike”, ka thënë mes tjerash Kurti.








