MALI I ZI NË RRUGËN DREJT ZBATIMIT TË KARTËS EVROPIANE TË SIGURIMIT SHËNDETËSOR

Foto: nefelidiagnosticcenter.com

Mali i Zi, në kuadër të përgatitjeve të tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian, po ndërmerr një hap të rëndësishëm drejt zbatimit të Kartës Evropiane të Sigurimit Shëndetësor.

Kartë kjo e cila do t’u mundësojë qytetarëve të lëvizin lirshëm, pa rrezikuar që të mos iu ofrohet trajtimi i nevojshëm mjekësor nëse ata sëmuren ose pësojnë një aksident jashtë vendit.

Karta Europiane e Sigurimit Shëndetësor, siç sqarojnë ata, prej vitesh është simbol i solidaritetit dhe sigurisë për miliona qytetarë europianë, duke u siguruar atyre kujdesin e nevojshëm mjekësor jashtë vendit.

“Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Malit të Zi ka marrë një rol kyç në zbatimin e Kartës Evropiane të Sigurimit Shëndetësor, duke siguruar që sistemi shëndetësor i Malit të Zi të jetë gati për ditën e anëtarësimit në BE.  Fondi i Sigurimit Shëndetësor aplikoi me sukses për asistencë teknike përmes programit TAIEX, i cili miratoi angazhimin e ekspertëve nga BE-ja. Ky mision ekspert synon të forcojë kapacitetet administrative dhe të përgatisë Fondin për hapat e ardhshëm drejt dixhitalizimit të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe lëvizshmërisë së fuqisë punëtore”, thuhet në një deklaratë.

Gjatë periudhës së ardhshme, shtojnë ata, punonjësit e Fondit do të bashkëpunojnë ngushtë me ekspertë nga Bashkimi Evropian, duke mbledhur njohuritë dhe përvojën e nevojshme për zbatimin me sukses të këtij sistemi.

Ekspertiza e fituar, sipas Fondit, do të jetë me rëndësi kyçe për përgatitjen e propozimeve për forcimin e kapaciteteve administrative në sektorin shëndetësor të Malit të Zi, veçanërisht në fushën e menaxhimit të sigurimeve shëndetësore ndërkombëtare dhe digjitalizimit.

Ky projekt financohet plotësisht nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit (IPA), i cili ofron mbështetje për vendet kandidate në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

SHARE