Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RKZ) njoftoi më 29 dhjetor se hodhi poshtë kërkesën e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” (SPN) për anulimin e zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor.
Siç ka thënë RKZ, ajo listë për zgjedhjet në qytetin e Beogradit nuk është e autorizuar të paraqesë kërkesë në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve, transmeton Beta.
Nënkryetari i RKZ-së, Marko Jankoviq, ka thënë se ankesa është dorëzuar nga personat e autorizuar të listës së Beogradit në Komisionin e Zgjedhjeve të Qytetit, i cili është deklaruar jokompetent dhe e ka dërguar për vendim në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve.
Ai ka deklaruar se “Serbia kundër dhunës” ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Lartë në Beograd, e cila ka vendosur ta refuzojë atë si të pabazuar, meqë Komisioni i Zgjedhjeve i Qytetit nuk është realisht kompetent për këtë çështje.
Jankoviq shtoi se “Serbia kundër dhunës” kërkoi anulimin e të gjitha vendeve nën juridiksionin e komisionit, duke u nisur, siç tha ai, nga “fakti që zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të shkeljes së rëndë të rregullave dhe se i gjithë procesi ishte i paligjshëm”.
Disa anëtarë të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve propozuan që ky institucion të shpallet jokompetent për shkak se ankesa është dërguar në Komisionin e Zgjedhjeve të Qytetit dhe se ky institucion duhet të vendosë meqë nga konteksti është e qartë se nënkuptohen vetëm zgjedhjet e qytetit.