RAMA: PAKO NDIHME PËR 1 MILION SHQIPTARË

Për 1 milionë qytetarë të kategorive të ndryshme qeveria ka vendosur të lëvrojë një fond prej 8 miliardë Lekësh, si mbështetje për inflacionin e shkaktuar nga kriza e çmimeve. Vetë kryeministri që jep lajmin pa dhënë shumë detaje shkruan në një postim se kategoritë përfituese nga ajo që ai e quan Pakon e Madhe do të jetë nga pensionistët deri tek punonjësit e administratës. “Qeveria po mbyll Pakon e Madhe në mbështetje të 1 milionë individëve, për të lehtësuar ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit – duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje”. Rama e gjen me vend të krahasohet me qeveritë paraardhëse për shifrat e mbështetjes financiare kur vendi përballet me emergjenca dhe kriza. “Kjo është qeveria e shumicës, jo e disave dhe faktet e shifrat thonë se volumi i mbështetjes financiare të atyre që fitojnë më pak apo të shtresave në nevojë, në vitet e qeverisjes sonë (pa llogaritur fondet masive të Rindërtimit pas tërmetit apo të Luftës me pandeminë) është disafish më i lartë se sa në tërë qeveritë e mëparshme të marra së bashku”. Nisma që pritet të detajohet nga vetë kryeministri në konferencën e tij të fundvitit, duket si paketa e tretë mbështetëse për inflacionin e luftës, pas dy të tillave të miratuara në Prill dhe në Shtator të këtij viti.

SHARE