NETANYAHU KTHEHET NË PUSHTET SI KRYEMINISTËR I IZRAELIT PAS BETIMIT NË PARLAMENT

Qeveria e ekstremit të djathtë, e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanjahu, bëri betimin të enjten, me premtimin për zgjerimin e vendbanimeve hebraike në territoret e pushtuara në Bregun Perëndimor dhe zbatimin e politikave, që janë kritikuar brenda dhe jashtë vendit. Udhëheqësi 73 vjeçar, ndaj të cilit janë ngritur akuza për korrupsion, që ai i ka mohuar, është përpjekur të qetësojë publikun rreth shqetësimeve mbi fatin e të drejtave civile dhe diplomacisë që kur koalicioni i tij, i përbërë nga partitë nacionaliste dhe fetare, fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të 1 nëntorit. Netanjahu vazhdimisht ka premtuar se ai do të nxisë tolerancën dhe do të punojë për arritjen e paqes. Ai tha në parlament se “përfundimi i konfliktit izraelito-arab” është përparësia e tij kryesore, së bashku me frenimin e programit bërthamor të Iranit, dhe zgjerimin e aftësive të ushtrisë së Izraelit. Kundërshtarët i priten komentet e tij me thirrjet “i dobët, i dobët”. Ata thonë se Netanjahu ka bërë marrëveshje me kosto të lartë për të siguruar partnerë të rinj qeveritar pasi partitë e qendrës e bojkotuan atë për shkak të problemeve të tij ligjore. Për palestinezët, rreshtimi i Netanjahut me partitë ekstreme ka krijuar një pasqyrë më të errët për të ardhmen tashmë jo të mirë, me aktet e dhunës në rritje dhe zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, pjesë e territorit, ku ata shpresojnë të ndërtojnë shtetin e tyre.

SHARE