KOSOVË, FILLON LARGIMI I KAMIONËVE TË BARRIKADAVE NË VERI

Në barrikadën në Rudare të Komunës së Zveçanit në veri të vendit ka filluar largimi i kamionëve që kanë bllokuar lëvizjen e lirë në rrugën Mitrovicë-Leposaviq. Deri më tani janë larguar tre kamionë në Rudare. Në veri të vendit janë të vendosura disa barrikada, kryesisht në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak, të cilat janë vendosur nga 10 dhjetori, por të cilat po pritet të largohen në orët në vijim. Pika kufitare “Merdare” e cila për dy ditë ka qenë e bllokuar në anën e territorit serb sot në mëngjes u lirua dhe Policia e Kosovës njoftoi se gjithçka në këtë pikë u kthye në normalitet. Vendimi për heqjen e barrikadave nga rrugët është marrë pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të serbëve të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mbajtura në Rashkë, një qytet serb në afërsi të kufirit me Kosovën. Kushtet për heqjen e barrikadave u krijuan pasi Gjykata Themelore në Prishtinë dje, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e zëvendësoi masën nga paraburgimi në arrest shtëpiak për ish-policin serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për arsye shëndetësore dhe për mungesë kushtesh për të.

SHARE