PROFESORI I MUZIKËS JUSUF LIKA, LAUREAT I ÇMIMIT TRADICIONAL TË “ART CLUB”-it

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” shënoi të martën 31-vjetorin e themelimit të saj, me ç’rast ka ndarë Çmimin Tradicional për arritje të jashtëzakonshme në shkencë, kulturë dhe art, si dhe është shfaqur dokumentari “30 vjet kulturë”. Juria e përbërë nga Dr. Haxhi Shabani, Vahida Nimanbegu dhe Dr. Zhilbert Tafa ka vendosur që Çmimi Tradicional i “Art Club”-it t’i ndahet profesorit të muzikës Jusuf Lika, me motivacionin “për përpjekjet këmbëngulëse në themelimin dhe udhëheqjen e suksesshme të Shkollës së Muzikës në Ulqin, arritjet e këtij institucioni – sukseset e nxënësve të kësaj shkolle si dhe për organizimin e jetës muzikore e kulturore në komunën e Ulqinit, përkatësisht për ndihmesën në fushë të fotografisë dhe botimeve”. Çmimi i SHAI “Art Club” është themeluar në vitin 1991 si Shpërblim Vjetor, kurse që nga viti 2009 jepet për çdo tre vjet.  Me këtë rast është shfaqur dokumentari “30 vjet kulturë”, i cili përmes fjalëve të drejtuesve të “Art Club”-it ndër vite flet në mënyrë të përmbledhur për rrugëtimin e kësaj shoqate që nga themelimi deri në ditët e sotme, si dhe për kontributin e saj për artin, kulturën dhe shkencën shqiptare në Mal të Zi dhe më gjerë në botën shqiptare. Dokumentari me autor gazetarin Ali Salaj është realizuar në kuadër të projektit të mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. Në fjalën e tij, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka prezantuar aktivitetet kryesore të realizuara gjatë këtij viti. Ai ka thënë se përkundër situatës pandemike dhe rrethanave që e kanë kushtëzuar punën tonë, sidomos në pjesën e aktiviteteve publike, janë përpjekur dhe kanë arritur të ruajnë vazhdimësinë e veprimtarisë gjithëpërfshirëse dhe cilësore të “Art Club”-it. SHAI “Art Club” është themeluar më 28 dhjetor 1990 nga një grup i dalluar i krijuesve të Ulqinit dhe përbën njërën prej organizatave joqeveritare më të vjetra jo vetëm në komunën e Ulqinit dhe ndër shqiptarët në Mal të Zi, por edhe në tërë Malin e Zi.

SHARE