DIMITAR KOVAÇEVSKI MANDATOHET PËR KRYEMINISTËR TË MAQEDONISË SË VERIUT

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka mandatuar kryetarin e Lidhjes Social Demokrate (LSDM), Dimitar Kovaçevski për postin e kryeministrit. Kovaçevski dekretin e mori të mërkurën në kabinetin presidencial, pasi LSDM-ja paraprakisht e kishte njoftuar përmes një letre se ka siguruar shumicën në Kuvend për votimin e Qeverisë së re. “Nga sot (e mërkurë) filloj të formoj ekipin e ri me njerëz që duhet t’u përgjigjen sfidave serioze që na presin nga fillimi i vitit të ri. Qeveria e re do të ketë një synim të qartë – të ofrojë siguri, jetë më të mirë dhe të ardhme të ndritur për qytetarët tanë. Angazhimi im personal është të kthej besimin e qytetarëve në politikë dhe institucionet e vendit. Kjo kërkon një qeverisje efikase, të ndershme dhe të përgjegjshme”, deklaroi Kovaçevski. Kryetari i LSDM-së do të ketë 20 ditë afat që të dorëzojë për miratim në Kuvend përbërjen e re të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka thënë se pret që Qeveria e re të nisë punën më së voni deri më 18 janar, pas paraprakisht të jetë votuar në Kuvend me 61 vota të deputetëve. Qeveria e re do të përbëhet nga LSDM-ja, Bashkimi Demokratik për Integrim, Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare.

SHARE