PARLAMENTI I MALIT TË ZI MIRATON NDRYSHIMIN E LIGJIT PËR LIRITË FETARE

Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Liritë Fetare. Pro ndryshimeve votuan 41 deputetë të shumicës qeverisëse. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në punën e parlamentit, pasi ishin të pakënaqur me ndryshimet e propozuara në ligj. Këto ndryshime u hartuan nga Qeveria e re malazeze, me kërkesë të Kishës Ortodokse Serbe. Ndryshimet e miratuara fshinë nenet nga versioni i mëparshëm i Ligjit për Liritë Fetare në të cilat përcaktohej se “të gjitha ndërtesat fetare që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore dhe ishin pronë e shtetit të Malit të Zi para humbjes së pavarësisë së tij më 1918 dhe që më vonë nuk janë bërë pronë e një komuniteti fetar në mënyrë të përshtatshme ligjore, do të njihen si pronë e shtetit”. Ky nen ishte i papranueshëm për Kishën Ortodokse Serbe, e cila menjëherë pas miratimit të versionit të parë të ligjit, në dhjetor 2019, nisi protesta të gjera, me mbështetjen e shumicës së opozitës së atëhershme, duke besuar se Partia Demokratike e Socialistëve që atëbotë ishte në pushtet, po përpiqej të “vidhte pronën e kishës” me ligj. Ndryshimet e reja në ligj gjithashtu shfuqizuan dispozitën ku parashihej që një komunitet fetar duhet të regjistrohet, e cila ishte gjithashtu një nga pikat që Kisha Ortodokse Serbe e kundërshtoi me forcë. Dy ndryshime të Lëvizjes Qytetare URA u bënë pjesë integrale e ligjit të miratuar, që bashkësitë fetare qendrat e të cilave janë jashtë vendit dhe të cilat nuk janë regjistruar në regjistra, janë të detyruar të veprojnë brenda rendit ligjor të Malit të Zi.

SHARE