Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq tha se nuk ka arsye për shtyrjen e regjistrimit, por, siç shton ai, është i gatshëm të ofrojë shtyrjen e fillimit të regjistrimit për katër ditë.
Ai tha se sot do të bisedojë me mazhorancën parlamentare dhe se është i gatshëm t’i dërgojë PDS-së ofertën për shtyrjen e regjistrimit për katër ditë deri më 3 dhjetor.
“Dhe të shohim nëse qëllimet janë të mira apo të këqija”, tha Spajiq dhe shtoi se ekziston një nivel maksimal i kontrollit të regjistrimit.
“Çdo pikë e marrëveshjes që kemi nënshkruar është përmbushur plotësisht”, u tha Spajiq gazetarëve në Ulqin.
Kryeministri theksoi se dje të gjithë kanë deklaruar se janë plotësuar kushtet për regjistrim dhe çdo pikë e marrëveshjes që është nënshkruar është përmbushur deri në fund, përfshirë edhe miratimin e ligjit.
Ai përkujtoi se Kuvendi unanimisht miratoi ligjin që konkretisht flet për komisionin që duhet të formohet për 10 ditë.
“Pra, kemi kohë ta formojmë atë komision dhe të shkojmë drejt tij. Megjithatë, ne kemi qenë shumë të zellshëm dhe kemi përgatitur specifikimin për softuerin. Sot edhe Monstat ka paraqitur specifikimin. Fatkeqësisht nuk kemi pasur një anëtar të opozitës që duhet të jetë një anëtar i atij komisioni dhe nuk është deleguar ende. Ne presim që ai person të delegohet dhe të shikojmë specifikimin, nuk besoj se do të ketë ndonjë kundërshtim”, theksoi kryeministri.
Ai thekson se nuk ka arsye për shtyrjen e regjistrimit dhe se po hapet një mundësi që nuk është hapur për 14 vjet.