413 MILIONË EURO NGA BE-ja SË SHPEJTI PËR MALIN E ZI

Komisioni Evropian ka propozuar një paketë investimi shtesë prej gjashtë miliardë eurosh përmes ofrimit të dy miliardë eurove në grante dhe katër miliardë euro në formën e kredive.

Nga kjo shumë, rreth 413 milionë euro janë planifikuar për Malin e Zi, njoftoi Qeveria.

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian theksuan se, përmes mbështetjes financiare nga BE-ja, Mali i Zi inkurajohet që, në një afat të shkurtër, përmes një kombinimi reformash dhe investimesh, të rrisë njëkohësisht shkallën e rritjes ekonomike dhe të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në takim morën pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj dhe ministrat e Çështjeve Evropiane, Energjisë dhe Minierave, Maida Gorçeviq dhe Sasha Mujoviq.

Ministrat thanë se Qeveria sa më shpejt që të jetë e mundur do të përgatisë dhe do të dorëzojë në KE një propozim për agjendën e reformës, me propozime konkrete për masa mbështetëse në tri fusha prioritare: mjedisi i biznesit, digjitalizimi dhe inovacioni dhe energjia.

Ata thanë se Qeveria do të propozojë nga 60 deri në 80 masa reformuese, të cilat do të zbatohen në katër vitet e ardhshme, të cilat do të jenë parakusht për ndarjen e një pjese të mbështetjes financiare.

SHARE